PSG ka arritur të gjejë zëvendësuesin e Adrien Rabiot. Kampionët e Francës kanë arritur akordin me Ander Herrerën, mesfushorin e Mançester Junajtid. Sipas raportimeve të “The Sun”, spanjolli nuk pranoi të rinovonte kontratën që i skadon me “Djajtë e Kuq” në fund të këtij sezoni.
Ai do të largohet me parametra zero drejt kryeqytetit francez, aty ku pritet të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare me një rrogë prej 150 mijë eurosh në javë. Një lajm i keq për trajnerin Solskjaer, i cili e cilëson Herrerën një lojtar thelbësor për skemat dhe ekipin e tij.
29-vjeçari ka zhvilluar 187 ndeshje me Mançester Junajtid gjatë këtyre 5 viteve (u transferua në verën e vitit 2014 nga Atletik Bilbao për shumën e 29 milionë sterlinave).
Herrera shpreson ta mbyllë me sukses sezonin me ekipin anglez për të nisur më pas aventurën e re me PSG, aty ku mund të ri takohet përsëri me Zhoze Murinjon, emri i të cilit shihet si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e PSG-së.