Presidenti i Kukësit, Safet Gjici ka folur sot për “RTSH Sport”, në një intevistë të gjatë ku ka prekur shumë tema. Merkato, objektivat, titulli kampion, stadiumi i ri dhe kandidatura për kryetar bashkie, Gjici foli “pa doreza”. Në fjalën e tij, numri një i Kukësi tha: “Kemi bërë ca lëvizje, besoj se janë disa lëvizje që janë të rëndësishme për kampionatin shqiptar, por përforcimet që kemi bërë realisht te Kukësi, skuadra e ka marrë formën dhe jemi në rrugën e duhur për objektivin e vendosur në fillim të sezonit, titullin kampion.
Dy fazat e para kanë qenë të mira, por duhet të ishim në vend të parë, na kanë penalizuar të gjitha ndeshjet jashtë, por jemi të kënaqur me ato që kemi arritur. Nëse do të luanim brenda, do të ishim në vend të parë me diferencë pikësh madje.
Kam besim shumë sepse të dy lojtarët që kanë ardhur janë lojtarë të mirë dhe të njohur, janë futbollistë që kanë bërë shumë mirë dhe shpresoj të ambientohen shpejt me ekipin.
Faza përgatitore është koha e përshtatshme që ato të njihen me ekipin dhe besoj se do të ecin. Kam besim tek ta, pasi janë në kulmin e karrierës së tyre dhe nuk janë 20-vjeç dhe po iu jep kohë.
Dua të falënderoj Tavon që ishte i gatshëm për bashkëpunim, me Gjirokastrën që ka ende disa përqindje kartoni. Por nuk është se Kukësi është i plotësuar, pasi ne duam pikët. Na kanë munguar dhe duhet të rikuperojmë, pasi kërkojmë me doemos titullin kampion.
Ju e dini se në futboll ndodh gjithçka, por ato kërkesa që ka pasur stafi teknik dhe trajneri, ne jemi munduar t’ia plotësojmë të gjitha. Tani i kanë kualitet për të arritur te titulli kampion. E di vështirësinë, pasi të luash të gjitha ndeshjet jashtë, është hsumë e vështirë.
Por nëse ne ia dalim dhe marrim tiullun e dytë, do të ishim për rekord, pasi i kemi luajtur të gjitha ndeshjet jashtë.
Menaxherët kanë disa lojtarë në mendje për të afruar dhe po diskutojnë me trajnerin. Por shqyrtojnë të gjitha alternativat dhe ndoshta do të vijë një mesfushor që do të bëjë diferencën, ose ndonjë mbrojtës që mund të mbulojë të gjithë repartin e prapavijës.Kështu që ndoshta 1-2 futbollistë mund t’i afrojmë, por veëm nëse bëjnë diferencën.
Kandidatura për bashkinë e Kukësit ? – Njëherë, ju e dini që qeveria ka miratuar fondin, së bashku me Federatën. Kuptohet që bashkia e Kukësit jo vetëm që nuk e ka ndihmuar ekipin e Kukësit, por nuk paguan asnjë lekë, pavarësisht se ka aksione. Ky nuk është problemi më i madh, por krijon edhe pengesa.
Atje shkojnë inxhinierët dhe bëjnë matjet dhe gjërat e duhura për të bërë stadiumin, por pengohen për arsye politike, thua t’i i ndalova unë ta bënin stadiumin kur ishte Berisha.
Nëse unë do të bëhem kryetar bashkie, Kukësin do e marrë dikush tjetër. Por kjo nuk do të thotë që ne si bashki nuk do e mbështesim Kukësin, madje do të bëjmë të pamundurën që skuadra të shkojë minimalisht në fazën e grupeve në kompeticionet evropiane. unë e dua Kukësin dhe e dua futbollin, pasi futbolli mban lart vlerat e kuksianeve.
STADIUMI – Kemi bërë një marrëveshje me Kamzën dhe shumicën e ndeshjeve do t’i luajmë aty, vetëm në ndonjë përplasje kalendari. Besoj se edhe fusha e Kamzës do të jetë optimale. Ne kemi bërë një marrëveshje, falënderoj bashkinë e Kamzës që arritëm të gjejmë një marrëveshje.
Janë shumë ekipe që duan titullin kampion dhe që do të ndeshen deri në fund. Partizani, Kukësi, Teuta dhe Skënderbeu, që nuk largohet asnjëherë nga lufta për titull. Favorit? Vetëm Kukësi. Kukësi, Kukësi dhe vetëm Kukësi. Po bëjmë investimet më të mëdha se të gjitha skuadrat tjera dhe e meritojmë ne të jemi kampionë.
Unë nuk gëzohem asnjëherë kur dënohet një ekip kundërshtar dhe ato presidentë që i gëzohen këtij fakti, unë nuk i kam kolegë.
Arbitrat? Ka gjithmonë gabime, por dua të them se këtë sezon, gabimet kanë qenë më të pakta. Ka disa ekipe që duan të dalin kampionë me forma të tjera, por nuk mendoj se do të ketë favorizime. Besoj se kush del kampion, do e meritojë plotësisht. Çdo skuadër në këto 7 vitet e fundit ka marrë hakun që i takon”,- u shpreh Gjici.