Trajneri i Laçit, Besnik Prenga ka folur për gazetarët e pranishëm në stadium pas ndeshjes miqësore kundër Tiranës, sfidë që djemtë e tij e fituan pastër 2-0. Por trajneri i kurbinase tha që kjo ndeshje të gënjen dhe Laçit i duhen dy sulmues në merkato.
“Me thënë të drejtën nuk jam i kënaqur me këtë ndeshje. Ndoshta kemi luajtur më mirë sesa duhet 15 ditë para kampionatin. Nuk e di nëse jemi në rrugën e duhur, por bëmë një ndeshje pa gabime.
“Si ka mundësi që të luajmë kaq mirë 15 ditë para kampionatit? Shpresoj që këtë paraqitje ta bëjmë në kampionat, e jo tani.
“Është një ndeshje miqësore që të gënjen, unë nuk jam i kënaqur me rezultatin, por me mënyrën e lojës. Në pjesën e parë luajtëm më mirë, por nuk e di, nuk mund të them asnjë gjë për këtë fazë përgatitore.
“Që në fillim e kam thënë se jemi ndryshe nga tjerët, mendojmë gjithmonë për nivelin që paraqesim. Synimi ynë është të marrim vetëm lojtarë të rinj.
“I kemi sytë nga merkato, por dhe nëse nuk bëjmë merkato, do mundohemi me këtë grup që kemi të luajmë fort në këtë kampionat, që është shumë i vështirë.
“Jo vetëm një sulmues, kemi nevojë për dy sulmues, minimalisht që njëri të tërheqë ekipi, por Xhixha do të ketë minutat e veta. Ne duam Kupat e Evropës dhe kam dëshirë si Xhixha, si Berisha të marrin minutat e tyre. Por shpresoj të vijë një lojtar cilësor, që të jetë rezultativ.
“Mersini dhe Çokaj janë dy afrime të mia dhe unë i di aftësitë e tyre, prandaj iu besoj shumë. E ardhmja e tyre është e ndritur dhe flet fusha. Janë çuna të mirë dhe jam i bindur se do të luajnë edhe me ekipet kombëtare”,- përfundoi Prenga.