Pol Pogba dëshiron të largohet nga Mançester Junajtid. Dy janë klubet favoritë për të siguruar shërbimet e mesfushorit: Reali i Madridit dhe Juventusi. Francezi është i preferuari i presidentit Perez, i cili do të bëjë të pamundurën për ta transferuar në Madrid.
Sipas lajmeve që vijnë nga Anglia, Pogba mund të shkëmbehet me Toni Kros. Gjermanit i përfundon kontrata me Realin në vitin 2022 dhe klauzola e largimit të tij është 500 milionë euro!
Nga ana tjetër, kontrata e Pogba me “Djajtë e Kuq” përfundon në vitin 2021, ndërsa rroga e tij shkon rreth 16 milionë euro në sezon. Bardhezinjtë e Juves kërkojnë ta rikthejnë në Torino 26-vjeçarin, aty ku ai luajti katër sezone, në të cilat shënoi 34 gola në 178 ndeshje.
Drejtuesit e kampionëve të Italisë kanë marrëdhënie shumë të mira me Mino Rajolën, agjentin e lojtarit. Ky i fundit përfitoi një komision gjigant prej rreth 50 milionë eurosh nga transferimi i tij te Mançesteri në verën e vitit 2016 dhe ai mund të jetë personi që mund të ndikojë në rikthimin e kampionit të botës në Torino.