Ishte 8 gushti i vitit 2009 dhe Espanjoli ndodhej në Koverçiano për një minifazë përgatitore. Kapiteni i ekipit nga Barcelona, Dani Zhark, humbi jetën në mënyrë të pabesueshme në moshën 26-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Lot dhe dhimbje për familjen, shokët, klubin dhe gjithë tifozët e Espanjolit, por jo vetëm.
Zhark ishte një idhull i tifozërisë dhe humbja e tij pikëlloi shumë tifozë të ekipeve të tjera. Mauricio Poçetino, i cili drejton Totenhemin, ishte trajneri i Espanjolit dhe ka treguar historinë e ndodhur në librin e tij autobiografik “Një botë e re”.
“Pas drekës iu thashë lojtarëve që mund të shkonin në dhoma për të fjetur. Pastaj iu kisha dhënë lejen të dilnin një shëtitje në Firence. Ndërsa po flisja, Dani Zhark iu afrua doktorit të skuadrës dhe i kërkoi një ilaç për dhimbjen e kokës. Unë ndërhyra dhe i këshillova të dilte në Firence dhe për të pirë një kafe. Ai insistoi dhe më tha që nuk dëshironte të dilte, sepse ishte i lodhur dhe donte të pushonte. Këto ishin fjalët e fundit që kam dëgjuar nga goja e Danit.”
Mjekët bënë të pamundurën, por zemra e qendërmbrojtësit nuk mbante më. “Bënë të pamundurën për ta rikthyer në jetë dhe ishte një dramë e vërtetë. Ndiheshim të pafuqishëm përpara Danit që na la, sepse ai nuk ishte vetëm një futbollist, por një person me të cilin ke ndarë një pjesë të jetës tënde, kapitenin e ekipit. Dhimbja ishte shumë e madhe dhe vazhdon të jetë”, përfundon trajneri i Totenhemit.
Një vit më vonë, Spanja fitoi Kupën e Botës, duke mposhtur Holandën në kohën shtesë. Autori i golit ishte Andres Iniesta, i cili kishte një miqësi të madhe me Danin. Pasi shënoi golin historik, mesfushori i Barcelonës festoi duke hequr bluzën dhe nën të kishte shkruar një dedikim për kapitenin e pafat të Espanjolit. Goli dhe Kupa e Botës ishin për Danin, shokun e tij të ngushtë, ndërsa tifozët e Espanjolit nuk e harrojnë kurrë kapitenin e tyre. Në çdo ndeshje shtëpiake, në minutën e 21 të pjesës së parë, që përkon dhe me numrin që Zhark mbante në supe, ata ndalojnë, bëhen të gjithë bashkë dhe duartrokasin idhullin e tyre…
Pochettino y el drama de la muerte de Dani Jarque cuando entrenaba al Espanyol. pic.twitter.com/zB0dpS645U
— Diego Latorre (@dflatorre) October 23, 2018