Para pak ditësh i përshëndeti lojtarët përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërkohë sot vetë klubi i Luftëtarit ka dalë me njoftim: Rustem Hoxha e mbyll me bluzinjtë. Mbrojtësit durrsak i ka përfunduar kontrata dhe tashmë është lojtar i lirë. Gjirokastritët falënderojnë ish-lojtarin e Teutës dhe Kukësit dhe tashmë do të duhet të gjejnë një tjetër lojtar për ta zëvendësuar.
NJOFTIMI – “Futboll Klub Luftëtari njofton mbylljen e bashkëpunimit me Rustem Hoxha. Mbrojtësi 27 vjeçar dhe drejtuesit e Klubit kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre, duke i dhënë mundësi futbollistit të jetë lojtar i lirë.
Lojtari, i cili u bashkua me skuadrën tonë në shtator të vitit 2018, duke kaluar pothuajse 1 sezon me ekipin tonë, regjistroi 23 aktivizime në Kategorinë Superiore dhe 4 aktivizime në Kupën e Shqipërisë për sezonin 2018-2019.
Klubi falënderon lojtarin për kontributin e dhënë me fanellën tonë dhe i uron njëkohësisht suksese në jetë dhe në karrierë!”, shkruhet në njoftimin e bërë nga klubi i Luftëtarit në faqen zyrtarë në Instagram.