Rënia në Kategorinë e Parë për Kastriotin, duket se po sjell edhe një rritje të numrit të lojtarëve që nuk do të jenë pjesë e krutanëve edhe sezonin e ardhshëm. I pari që u largua ishte mesfushori shkodran Arlind Kalaja, i pasuar nga braziliani Roxher. Gjithashtu edhe trajneri Bledar Devolli e ka mbyllur me Kastriotin.
Tashmë është radha e një tjetër largimi, e pikërisht mbrojtësi Dajan Shehi. Ai ka mbyllur periudhën një vjeçare të huazimit te Kastrioti dhe mbetet për t;u parë se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, edhe pse është nën kontratë me Teutën që e kishte huazuar te krutanët.
I pyetur nga SportEkspres.com mbi të ardhmen, Shehi deklaron: “Kalova një sezon të mirë me Kastriotin, edhe pse nuk përfundoi me suksesin që skuadra të qëndronte në Kategorinë Superiore. Tashmë që më ka përfunduar huazimi me këtë skuadër, më duhet që të vendos për të ardhmen”.
Teuta është një opsion, por ka edhe oferta, teksa Shehi shton: “Për mua është një situatë e paqartë për momentin. Dy ekipe të Kategorisë Superiore më kanë kontaktuar pa u mbyllur kampionati dhe më duket sikur ndodhem në një udhëkryq për të vendosur”.
AGRON KAJA