Pasuesi i Agollit, gjashtë kandidatë për Panuçin

Kristian Panuçi u kritikua jo pak për lënien jashtë të kapitenit të kombëtares Ansi Agolli. Tekniku italian i shtyrë nga 36 vitet që mëngjarashi ka mbi shpinë dhe nga fakti që nuk po luante më rregullisht në Azerbaixhan vendosi t’i mbyllë njëherë e mirë derën e kombëtares kryeqytetasit.

Duket qartë që Panuçi është ende në kërkim të një mbrojtësi stabël për krahun e majtë të kombëtares kuqezi. Alternativat nuk janë të pakta. Për momentin mund të thuhet se Egzon Binaku është favoriti në këtë rol.

Mbrojtësi i Malmos ka qenë titullar në dy ndeshjet e fundit zyrtare të kombëtares dhe me siguri do të vazhdoj të ketë besimin e trajnerit të kombëtares. I dyti në radhë është Ermir Lenjani, i cili ka lënë pas dëmtimet dhe është rikthyer titullar te Sioni në Zvicër. Një tjetër plus për këta lojtarë është dhe fakti që kanë luajtur shpesh në formacion me pesë mbrojtës, një modul loje ky që Panuçi e pranoi se po e shqyrton si një opsion në një intervistë të dhënë pak ditë më parë.

I treti në hierarki është Besir Demiri. Mbrojtësi nga Shkupi aktivizohet prej një viti e gjysmë në Ukrainë te Mariupol, ku e ka blinduar vendin e titullarit. Megjithatë, 24-vjeçari pret ende të debutojë me kombëtaren shqiptare ku ishte grumbulluar gjatë muajit të shtatorit.

Tre opsionet e fundit janë Naser Aliji, Lorenc Trashi dhe Gledi Mici. Aliji i dha fund një periudhe 6-mujore ku qëndroi pa ekip dhe është rikthyer titullar te Dinamo e Bukureshtit në Rumani. Trashi dhe Mici luajnë në kampionate më inferiore se katër lojtarët e lartpërmendur, por të dy kanë spikatur me skuadrat e tyre që tani janë kryesuese të kampioneve përkatëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *