“Është një ndeshje që ka gjithçka brenda, kënaqësinë, emocionin dhe gjithçka që prodhon një përballje mes dy rivalëve që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar në vitet e fundit. Sa u përket problemeve në kampin e kuq, unë them se të gjithë skuadrat kanë probleme, por besoj se do të jetë shumë e vështirë si ndeshje”, shprehet Orges Shehi, trajneri i Skënderbeut, duke thënë thuajse gjithçka mbi atë që përfaqëson përballja mes korçarëve dhe Partizanit.
Durrsaku nuk mendon për krizën e të kuqve. Dëshira e tij e vetme është që të ketë ekipin e tij në maksimum: “Do të më vinte mirë që skuadra ime të jetë 100% nesër. Të tregojë në fushë të njëjtën ego dhe dëshirë si në ndeshjet ndaj Teutës dhe Kukësit”.
SITUATA NË SKUADËR – Atje kishim 3 mungesa, si Radas, që ishte në Kroaci, Sibo i dëmtuar dhe Abazaj i pezulluar. Pas ndeshjes me Luftëtarin, kanë shfaqur shqetësime edhe Muzaka, Vangjeli dhe Dita, por që kanë arritur të rikuperohen, ashtu si edhe Sibo. I vetmi shqetësim është Taipi, që vijon të jetë jashtë grupit, ndërsa për pjesën tjetër mund të them se jemi në rregull. Radas? Është pjesë e skuadrës, por formacionin do ta bëj nesër dhe sot nuk mund të them asgjë.
OBJEKTIVI – “Mendoj se po dhamë 100 për qindëshin tonë, mund të shkojmë shumë larg. Në situata të ndryshme, nuk kemi qenë në maksimum. Po bëmë më të mirën, mund të përsëritim rezultatet e fazës së parë”, shprehet Shehi për Supersport, ndërkohë që e thotë hapur se duan ta fitojnë Kupën e Shqipërinë. “Nuk mund të them të kundërtën, pasi jemi fituesit në fuqi dhe do të luftojmë për ta mbrojtur”, shtoi ish-portieri.
VENDIMI I KAS – Klubi korçar ka dalë me një njoftim prej kohësh dhe ka zbuluar se me 16-17 prill do të përballen me UEFA-n në KAS dhe pritet vendimi. Në fakt mund të duhet një muaj që të vendoset përfundimisht nëse do të rrëzohet vendimi i parë, apo do të mbetet në fuqi.
“Është një çështje që na ka zgjatur shumë. Jemi munduar që skuadrën ta mbajmë larg kësaj situate, pasi është një çështje që i përket studios tonë ligjore dhe njerëzve të tjerë në klub. Besoj se do të arrijmë të marrim pafajësinë dhe të vijojmë rrugën që kemi nisur para disa viteve”, përfundoi Shehi.