Palota “thyen heshtjen”: Roma s’e tradhëtoi De Rosin, ja çfarë logjike ndoqëm

Xhejms Palota nuk ka duruar më dhe ka shpërthyer. Presidenti i Romës ka shkruar një letër ku sqaron situatën e klubit që drejton dhe problemet e hasura.

Atmosfera në ekip nuk është aspak e mirë, kreu i verdhekuqve ka përfunduar në shënjestrën e tifozëve, por Palota zbulon versionin e tij për ngjarjet e ndodhura së fundmi. Fakti që nuk iu afrua rinovim Daniele De Rosit i trishtoi të gjithë dhe italo-amerikani ka një përgjigje për këtë çështje delikate.

ÇËSHTJA DE ROSI –  “Është thënë që detyra jonë është t’i trajtojmë njerëzit me respektin që meritojnë. A ka shkuar gjithçka në drejtimin e duhur me De Rosin? Jo. Vizioni ynë ishte se për të ishte sezoni i fundit. Më lejoni t’ju jap një shembull se sa vendim të vështirë morëm. Le të themi që kemi Danielen dhe një lojtar tjetër. Ne kemi 24 lojtarë dhe dy mesfushorë mbrojtës. Çfarë ndodh nëse ai tjetri thyen këmbën në ndeshjen e tretë të sezonit? Çfarë ndodh me ekipin?

Daniele tha se do të donte të luante 10-15 ndeshje në sezon. Çfarë ndodh me ekipin pa pasur mundësinë të blejë një lojtar para hapjes së merkatos? Nuk mund të aktivizosh një 17-vjeçar në një nga rolet më delikate në Serinë A. Nëse luajmë në Champions ose Europa League, janë tre ndeshje në javë. Fizikisht Daniele është i limituar, e ka pranuar edhe vetë. Do të doja ta kisha De Rosin në ekip, por arsyetimi është i thjeshtë, na duhen dy lojtarë për çdo rol. Nuk mund të përshtatim një mesfushor ofensiv në rolin e De Rosit. Ai është një pozicion shumë specifik.

Kjo është logjika jonë, është thjesht një prekje e realitetit. Vendimi është për skuadrën.  Nuk është një çështje individi, pavarësisht se sa i madh është De Rosi. Është një lojtar i madh dhe një njeri spektakolar. Ai ishte besnik ndaj Romës dhe Roma ndaj tij. Njerëzit nuk mund ta vënë në dyshim besnikërinë tonë, sepse e kemi thënë: ‘Daniele, ne do të donim të ishit pjesë e Romës për gjithë pjesën tjetër të jetës suaj’.

Kjo është shumë e drejtë. Nuk i kemi thënë kurrë “mirë u pafshim, të urojmë jetë të lumtur”. Ne duam që Daniele të jetë pjesë e klubit përgjithmonë dhe shpresojmë të ndodhë kjo gjë. Do flas me të privatisht. Kemi shkëmbyer mesazhe dje në mëngjes dhe e ftova të takohej me mua në fund të pushimeve. Nëse mendoni se ka pakënaqësi mes nesh dhe se nuk do të flasim, e keni gabim. E njëjta gjë vlen edhe për Totin. E kam ftuar atë dhe familjen e tij të vijnë dhe shpresoj të ndodhë”, thekson presidenti i Romës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *