Një javë më parë, presidenti i Romës Xhejms Palota ndërmori masa drastike pas krizës së rezultateve që kishte pësuar klubi verdhekuq. Trajneri Euzebio Di Françesko u shkarkua, ndërsa u ndërpre dhe kontrata me drejtorin sportiv Monçi pas thuajse dy vitesh bashkëpunim.
Monçit iu deshën vetëm pak ditë për të gjendur, një vend punë, pasi u rikthye te Sevija, klubi ku mori famë botërore. Në një prononcim për mediet spanjolle, Monçi tha: “Presidenti donte të shkonte djathtas, ndërsa unë majtas”.
Kjo deklaratë e spanjollit mori menjëherë reagimin e Palotës, i cili në një komunikatë zyrtare tha: “U surprizova kur lexova se çfarë kishte thënë Monçi. I dhashë Monçit çelësat e ekipit. I thashë se doja trajnerin më të mirë, lojtarët më të mirë dhe stadin mjekësor më të mirë. Nëse shikon rezultatet tona, mund ta kuptosh se strategjia e tij nuk funksionoi. Rrezikojmë për herë të parë që nga viti 2013 të mbetemi jashtë vendeve që na çojnë në Champions”.
“Në nëntor kur rezultatet filluan të përkeqësoheshin dhe lojtarët s’po i përgjigjeshin trajnerit, i kërkova Monçit të dija planin B. Ai më tha që Plani B është që të vazhdojmë Planin A. Ai ishte personi përgjegjës për të gjithë aspektin futbollistik në klubin tonë dhe nuk kishte një plan rezervë”, tha Palota.