Xhanluka Paljuka e ka pasur të vështirë të mbajë anë gjatë takimit të djeshëm midis Interit dhe Bolonjës, pasi ka mbrojtur portën e dy ekipeve për 12 sezone. Megjithatë ish-portieri i famshëm italian pranoi se bëri tifo për Bolonjën për shkak të pozitës së vështirë në të cilën ndodhet ekipi i vendlindjes. Ndër të tjera, në intervistën për “Radio Anch’io Sport”, 52-vjeçari foli dhe për momentin e keq që po kalon Interi.
KRIZA E INTERIT – “Gjithçka filloi me barazimin ndaj Sasuolos, më pas erdhi dhe eliminimi nga Kupa e Italisë. Është një moment “jo”, por çdo vit i ka momente të tilla. Trajneri duhet të tregohet trim për të zgjidhur këto gjëra. Dje isha tifoz me Bolonjën, sepse është në një pozitë shumë të keqe në renditje. Interi është akoma i treti, por të tjerët po i afrohen”.
ZGJIDHJA – “Duhet shumë punë. Lojtarët duhet të lexojnë sa më pak gazeta dhe të dëgjojnë sa më pak lajme. Spaleti ka eksperiencë të madhe, do t’ia dalë. Kemi dhe Europa League përpara, jemi vetëm në shkurt, s’duhet ta hedhim gjithçka në erë. Momenta të tilla ndodhin, por një trajner i mirë di si të dalë nga kjo situatë”.
KONTE – “Në kundvështrimin tim hija e Kontes është tek Interi. Ai ka bërë shumë mirë te Juve dhe Çelsi. Mendoj se ai është trajneri i duhur për zikaltrit. Nuk po them se duhet të vijë. Mbetem i mendimit se Spaleti duhet të qëndroj gjatë, pasi ka bërë mirë, por për situatën e tanishme Konte do të ishte i duhuri për Interin”.
DONARUMA APO HANDANOVIÇ – “Zgjedh Donarumën, pasi është më i ri dhe ka bërë shumë mirë, por dhe Handanoviç është shumë i fortë. Edhe dje bëri shumë mirë. Te rasti i golit nuk më pëlqeu shumë, por kreu 2-3 pritje të jashtëzakonshme”.
KONTRATA E IKARDIT – “Kur Ikardi nuk shënon, tifozët nxitojnë të vënë gishtin te çështja e kontratës. Megjithatë ai ka treguar vit pas viti se është i aftë të shënojë 15-20 gola, dhe disa prej tyre në momente ku skuadra vuan. Sigurisht situata e kontratës nuk është diçka pozitive, sidomos për tifozët që dallohet se nuk po e përjetojnë mirë këtë situatë”.