“Ose unë, ose Hasani”, Halili duhet të marrë vendimin e vështirë!

Tirana zien dhe kjo prej një ngjarjeje të ndodhur një ditë më parë në stërvitje. Një moment tensioni mes Edon Hasanit dhe Agustin Torasës është përshkallëzuar dhe mesfushori shkodran është detyruar të lërë stërvitjen. E ardhmja e tij te Tirana është në dyshim dhe presidenti Refik Halili duhet të marrë një vendim të vështirë.

Në këto kushte bashkëpunimi mes trajnerit Ardian Mema dhe Hasanit zor të vijojë në kushte normale. Numrit një të klubit bardheblu i leverdis të qetësojë situatën dhe të kërkojë reflektim. Gjithsesi nga ana tjetër edhe trajneri Mema kërkon disiplinë dhe ka vënë veton: “Ose unë, ose Hasani”.

Mesfushori nga ana tjetër ka disa oferta, por kontrata e mban të lidhur me Tiranën. Presidenti Halili sot pritet të marrë një vendim në lidhje me gjithçka ka ndodhur. Gjasat janë që shkodrani ta mbyllë me 24 herë kampionët e vendit, mbetet vetëm për t’u parë se si do të zgjidhet çështja e kontratës.

Ndërkohë edhe Ngo është kthyer në telenovelë. Sulmuesi anglez pritej në fillim të javës të rikthehej në Shqipëri. Gjithsesi ai është ende në Angli. Vetë Ngo e ka shprehur dëshirën për të vazhduar karrierën me bardheblutë, kurse te Tirana heshtin. Në këto kushte, dyshja që vjet kontribuoi shumë në shmangien e rënies nga Superiorja janë larg bardhebluve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *