Skënder Gega e mbylli me Partizanin dhe arsyeja zyrtare është për arsye personale. Të gjithë kanë vetëm fjalë të mira për ish-trajnerin, i cili arriti që në krye të “demave të kuq” të rikthente titullin kampion pas 26 vitesh. Lojtarët, me të mësuar për largimin e Gegës, përmes rrjeteve sociale e kanë falënderuar ish-trajnerin e tyre.
Alban Hoxha dhe Egzon Belica, lojtarë këta që kanë mbajtur shiritin e kapitenit, ndryshe nga shokët e tjerë të skuadrës nuk janë zgjatur shumë. Portieri shkruan “Suksese profesor”, kurse qendërmbrojtësi “Gjithë të mirat”.
Labinot Ibrahimi zbulon edhe si i thërriste profesor Gegës dhe e falënderon për mbështetjen e madhe. Mbrojtësi i shpreh gjithë mirënjohjen e tij, ndërkohë që edhe Ardit Hila ka bërë gjithashtu një postim për trajner dhe shprehet se ndihet krenar që ka qenë nën urdhrat e tij.
Vlonjatët, Bruno Telushi dhe Hetkor Idrizaj kanë gjithashtu dedikimet e tyre për ish-trajnerin e Partizanit. “Do të jem gjithmonë krahu yt i djathtë”, shkruan mesfushori. Anësori i djathtë punoi pak kohë me Gegën, por vlerësimi për të është maksimal.
Jasir Asani nuk di vetëm të shënojë dhe të asistojë. Fjalët për Gegën janë të përzgjedhura dhe sulmuesi i krahut e falënderon shumë ish-trajnerin e tij. “Je ai që më mbështetur dhe më ke ndryshuar”, shkruan mes të tjerash Asani.
Lorenc Trashi gjithashtu i ka bërë një dedikim Gegës: “Do i mungosh të gjithëve dhe do të kujtojnë si ai që bëri historinë me ketë ekipin. Kurrë nuk do harrohesh”. Fjalë zemre edhe nga Esat Mala për ish-trajnerin.