Nejmar, një rinovim dhe një dëshirë: shumë lëvizje te PSG

PSG nuk ka arritur ende të jetë konkurruese në Evropë dhe do të tentojë përsëri. Parizienët akoma nuk i kanë kapur gjysëmfinalet e Champions në epokën “Al-Kelaifi”. Ndërhyrjet në merkato shihen si diçka tepër e nevojshme, por është UEFA me rregullat e saj financiare që qëndron si një derë e blinduar përpara parave të naftës nga Lindja e Mesme.

Portieri është një nga pozicionet me dyshimet më të mëdha. Megjithatë problemet e mëdha me ndershmërinë finaciare të klubit parizien do të sjellin rinovimin edhe për një vit tjetër me Xhanluixhi Bufon. Sipas “Sport Bild” legjenda italiane e katërkëndëshit do të zgjasë kontratën dhe Kevin Trap do të vazhdojë të jetë i huazuar tek Ajntrahti i Frankfurtit.

Të qëndrojmë në Gjermani, ku nga Frankfurti fluturojmë në Mynih. Tiago Alkantara është dëshira më e madhe e Al-Kelaifit dhe stafit të tij dhe do të ishte i gatshëm të bënte një shtrëngim të madh për ta arritur. Spanjolli do të ishte katalizatori që do e bënte shumë më funksionale mesfushën e Tuhel, repart i cili ka hasur probleme këtë vit. Rreth 70 milionë euro arrin të ofrojë Parisi për të, por pritet një rezistencë e madhe nga bavarezët.

Që të “shpërthejnë” blerjet në Paris duhet të rregullohet çështja e bilancit të hyrje-daljeve të parave dhe shitja e Nejmar do të sillte qetësinë në këtë aspekt dhe do i hapte rrugën blerjëve të shumta për të forcuar të gjitha repartet. 350 milionë është i gatshëm t’i vërë mbi tavolinë Florentino Perez. Megjithatë kjo është një dilemë e madhe për klubin nga Franca, pasi do i duhej të hiqte dorë nga një prej lojtarëve më të mirë të planetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *