Aleks Okslejd Çambërlejn në këto vite në Liverpul e kemi parë të mbajë numrin 21 në shpinë. Kjo ka ndodhur sepse ka qenë i detyruar, pasi numri i tij i preferuar është 15-ta. 25-vjeçari e ka mbajtur atë në gjashtë vitet e kaluara te Arsenali.
Dëshira e tij ka qenë të vazhdojë këtë traditë edhe në “Merseyside”, por nuk ka ndodhur kështu. Daniel Starrixh deri këtë verë ishte pronari i këtij numri, çka e bënte të pamundur dëshirën e Çambërlejn. Me largimin e sulmuesit anglez, 15-ta është i lirë.
Kështu mesfushori ka njoftuar se duke nisur nga sezoni i ardhshëm do të ndryshojë numrin e fanellës. Pas kësaj ai ka bërë edhe një gjest tepër human. Të gjithë tifozët që kanë blerë fanellat e sezonit të ri me emrin e Çambërlejn, që mbajnë numrin 21, do e ndërrojnë. Ata do të paraqiten në dyqanet zyrtare të klubit për të marrë një uniformë tjetër me 15-tën në shpinë.