Besar Musolli nuk aktivizohet me Kukësin qe prej muajit shtator. Në takimin e së premtes ndaj Partizanit, mesfushori do të jetë i gatshëm për trajnerin Ramadan Ndreu.
Në një intervistë për “Supersport”, Musolli foli për gjendjen e tij fizike, takimin ndaj rivalëve për titull dhe faktin që sfida do të luhet në “Loro Boriçi”.
GJENDJA FIZIKE – “Ka një muaj e gjysmë që kam filluar të bëj stërvitje me grupin. Shyqyr zotit gjithçka ka shkuar mirë. Ndihem 95% gati, patëm një miqësore ku u aktivizova për rreth 30 minuta dhe çdo gjë ishte mirë. Tani varet nga trajneri nëse do të aktivizojë ose jo”.
PARTIZANI – “Normalisht deri tani kanë bërë shumë pasi dhe fakti që janë nëntë pikë larg nesh tregon që kanë bërë shumë mirë. Mendoj se kjo ndeshje është një finale për ne sepse po na mundën ose barazuan mendoj se janë zyrtarisht kampion”.
STADIUMI – “E para mendoj se fusha e “Loro Boriçit” të ndihmon të luash futboll, pasi siç dihet fusha e Kamzës nuk është dhe aq e mirë. Ne kemi zhvilluar ndeshje të tjera atje që na kanë sjellë fat, shpresoj që dhe kjo të sjellë fat për ne”.