Zhoze Murinjo ka “CV” të frikshme përsa i përket karrierës si trajner. Portugezi ka qenë në krye të ekipeve elitare në Portugali, Angli, Itali dhe Spanjë. E vetmja ligë elitare, ku ai nuk ka trajnuar ende, është Gjermania.
Shumë vetë besojnë se Murinjo do të ishte një kandidat favorit për stolin e bavarezëve në rast të një shkarkimi të kroatit Niko Kovaç. Megjithatë, vështirë se Murinjo mund të bashkëpunojë me një dyshe drejtuesish si Rumenige dhe Hënes, të cilët kanë prej vitesh pushtet jashtëzakonisht të madh edhe brenda dhomat e zhveshjes.
Sikur të mos mjaftonte natyra e veçantë e drejtuesve të bavarezëve, një tjetër fakt që i del kundër kandidaturës së Murinjos për stolin e Bajernit është një deklaratë e vetë trajnerit, e bërë gjatë kohës kur ai ishte në krye të Real Madrid në vitin 2012.
“Nuk mund të punoj në një vend ku do të duhet të mbaj kufje gjatë të gjithë kohës”, tha Murinjo, gjatë një konference për shtyp në “Allianz Arena”. Gjermanishtja është një pengesë të pakalueshme për të. Diçka ironike duke qenë se tekniku portugez flet rrjedhshëm pesë gjuhë të ndryshme.