Muaji “i mallkuar” i pankinave, çfarë ka ndodhur në Shqipëri!

Gjithçka nisi në fillim të muajit, madje pas një ngjarjeje që bëri bujë dhe detyroi qeverinë të ulej në një tryezë të rrumbullakët me FSHF-në, Policinë dhe përfaqësuesit e klubeve. Goditja e Eldorian Hamitit solli dënimin e Kamzës, që sezonin e ardhshëm do të garojë në Kategorinë e Dytë.

Nisur nga kjo situatë e krijuar, Gentian Stojku pas vetëm dy javësh e mbylli aventurën e tij te skuadra periferike e kryeqytetit dhe nisi punë në krye të Apolonisë. Fierakët larguan Rade Miliç dhe i besuan pankinën elbasanasit, që këtë sezon e kishte nisur në krye të Erzenit.

I radhës që e mbylli ishte Besnik Prenga. Trajneri me origjinë nga Mirdita, pas humbjes 3-0 që Laçi pësoi në Kupë me Tiranën, u shtrëngoi duart futbollistëve. “Nuk ju motivoj dot, iki për të mirën e ekipit”, thoshte ish-sulmuesi i Partizanit, që u pasua te bardhezinjtë nga një tjetër i kuq, Sulejman Starova.

Më pas ishte momenti për të pasur lëvizje te Vllaznia dhe Kukësi, madje në një ditë. Verilindorët njoftuan shkarkimin e Armando Cungut. Ramadan Ndreu ishte zgjidhja momentale dhe trajneri krutan nis një eksperiencë të re. Nga Shkodra erdhi lajmi tjetër. “Jam i detyruar të iki në SHBA, i falënderoj të gjithë te Vllaznia”, thoshte Hasan Lika për SportEkspres.com. Tekniku kryeqytetas u largua duke shtrënguar duart me drejtuesit e kuqbluve.

Ky muaj mori edhe “kokën” e Kristian Panuçit. Tekniku italian u shkarkua nga FSHF pas humbjes me Turqinë, duke e çuar në gjashtë numrin e trajnerëve të larguar nga vendi ynë. A do ketë më lëvizje gjatë marsit? Duhet pritur, zhvillohen edhe katër ndeshje në fundjavë, çfarë nuk ndodh!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *