Te Real Madrid janë me sytë nga Londra. Ekipi “Los Blancos” do të përpiqet të finalizojë transferimin e sulmuesit Eden Hazard, i cili shihet nga trajneri Lopetegui dhe presidenti Perez si zëvendësuesi ideal i të sapo larguarit, Kristiano Ronaldo. Por, koha nuk është në favorin e spanjollëve.
Në kampionatin anglez dritarja e transferimeve në ndryshim nga vitet e mëparshme do mbyllet më datë 9 gusht. Pra, Reali ka vetëm 72 orë kohë për të bindur drejtuesit e Çelsit që të shesin kartonin e yllit të ekipit të tyre.
Presidenti Florentino Perez nuk do ta ketë aspak të lehtë të bindë miliarderin rus, Roman Abramoviç, por 71-vjeçari nuk ka zgjidhje tjetër. Alternativat në treg janë pakësuar ndjeshëm dhe në rast dështimi të bisedimeve, Reali nuk ka zgjidhje tjetër përveç se t’ia besojë vendin e lënë bosh nga Kristiano Ronaldo, dyshes së të rinjve Asensio dhe Vinisjus.