Humbja e thellë me rezultatin 7-1 kundër Fiorentinës në Kupën e Italisë ka shkaktuar një furtunë në kampin romanist. Eusebio Di Françesko rrezikon stolin e tij prej kohësh, ndërsa tashmë ai ka një shans të fundit.
Ndeshja e kampionatit kundër Milanit do të vendosë fatin e tij. Vetëm 6 tifozë kanë qenë të pranishëm në “Trigoria”, aty ku sulmuesi Shik u është afruar duke u kërkuar falje. Nëse verdhekuqtë nuk reagojnë kundër ekipit të Gatuzos, atëherë Di Françesko do të largohet nga Roma.
Tre janë emrat favoritë për ta zëvendësuar atë, siç raporton “Corriere dello Sport”. Paulo Souza mbetet favoriti kryesor, por prapa nuk mbetet as Kristian Panuçi. Portugezi është një preferencë e vjetër, ndërsa trajneri i kombëtares tonë është një preferencë e Totit e De Rosit dhe ka si favor faktin që e njeh mirë ambientin.
Drejtuesit e Romës duan një trajner, i cili duhet të pranojë një kontratë deri në fund të sezonit, me opsion rinovimi nëse e dërgon ekipin në Champions Ligë.
Një tjetër emër qarkullon për stolin e ekipit kryeqytetas dhe ai është Mauricio Sarri. Ish-trajneri i Napolit po përjeton një moment të vështirë me Çelsin e tij dhe Roma është gati t’i ofrojë stolin në verë, nëse aventura ishullore nuk shkon mirë për të.