Milan mori një fitore në mesjavë ndaj Xhenoas, ku vuajti jo pak për të arritur triumfin, që erdhi vetëm në minutën e 91-të. Ishte një supergol i kapitenit Alesio Romanjoli, i cili i dha fitoren kuqezinjve dhe përveçse kësaj i ngjiti ata në vendin e katërt, që korrespondon me zonën Champions.
Fitorja e arritur e ka ngritur disi moralin në kampin kuqezi, por për Gatuzon, duket se nuk mbarojnë shqetësimet. Pas konfirmimit se Kaldara do të mungojë për gati tre muaj, tekniku i “djallit” merr dhe një tjetër lajm të keq. Siç konfirmohet nga mediat italiane, Lukas Bilja pritet të mungojë për rreth 2 muaj.
Argjentinasi mori një dëmtim pas ndeshjes së luajtur ndaj Sampdorias, por fillimisht u mendua për diçka të lehtë. Gjithsesi, ekzaminimet e bëra nga stafi kuqezi konfirmojnë se mesfushori nuk do të jetë i gatshëm për Gatuzon për gati dy muaj. 31-vjeçari do humbë kështu duele mjaft të rëndësishme siç është ai ndaj Juventusit javën e ardhshme, si dhe ndaj Betisit në Europa Ligë.