Milani e nis me humbje turneun kinez

Milani ka zbritur në fushë sot për miqësoren e parë sezonale, për t’u ndeshur në Guangzhu me Borusian e Dortmundit.

Gjermanët luanin miqësoren e tretë dhe më 5 gusht nisin sezonin, me Superkupën e Gjermanisë, ndaj janë qartësisht më përpara me përgatitjet, po të kujtohet se Milani ka vetëm pak ditë që ka nisur stërvitjen.

Përveç kësaj, në miqësoren e parë trajneri Montela luajti pa shumë emra të njohur nga të ardhurit e rinj, duke u dhënë debutimin vetëm mbrojtësit Rodrigez, mesfushorit Kesie dhe sulmuesit Borini.

Dortmundi e nisi fort dhe në minutat 16 e 19 Shahin me gjuajtje nga distanca e Obamejang me penallti shkaktuar nga Paleta shënuan dy gola që gjunjëzuan Milanin, shumë pasiv në fillimin e ndeshjes.

Në minutën e 23-të Baka shkurtoi për kuqezinjtë me një gjuajtje të zgjuar nga jashtë zone, ndërsa në vazhdim ndeshja u bë edhe më e hapur, me dy skuadra që luajtën një futboll shumë sulmues.

Pas pushimit Milani aktivizoi edhe Muzakion dhe Çalhanoglun, por në minutën e 61-të Obamejang përfitoi nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes kuqezi dhe shënoi golin e tretë në kundërsulm perfekt për Dortmundin, që siguroi fitoren e dytë në 3 ditë, pas fitores ndaj japonezëve të Urauas.

MILAN-DORTMUND 1-3

Shënues: Baka 23’ / Shahin 16’, Obamejang 19’ p., 61’

MILAN (4-3-3): Storari; Abate (Gomez 63′), Paletta (Musacchio 46′), Zapata, Rodriguez (Antonelli 63′); Kessié, Mauri, Bonaventura (Sosa 63′); Borini, Bacca (Cutrone 63′), Niang.

BORUSIA DORTMUND (4-3-3):  Weidenfeller (Reimann 46′), Zagadou (Durm 63′), Bartra (Subotic 73′), Sokratis, Piszczek (Passlack 46′), Sahin, Castro, Rode, Aubameyang (Schürrle 73′), Dembele (Emre Mor 63′), Pulisic (Isak 74′).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *