Skuadra e Korabit jo vetëm që arriti të mbijetojë në Kategorinë Superiore, duke qenë pjesë e zonës Play-off në Grupin A të Kategorisë së Parë, por gjatë fazës së tretë aktivizoi shumë elementë të rinj dibranë. Sipas Presidentit të kësaj skuadre, Femi Mëziu, kjo ka qenë strategjia në tre-katër sezonet e fundit, dhe për SportEkspres.com ai deklaron se kështu do vazhdohet edhe gjatë merkatos për sezonin e ri.
LOJTARËT – “Korabi e ka grupin e lojtarëve dhe stafin teknik që mbyllën sezonin e kaluar, pasi ata janë nën kontratë edhe për një sezon dhe janë të konfirmuar. Duke përjashtuar mesfushorin Gresild Lika, që i ka përfunduar kontrata, të gjithë të tjerët do jenë pjesë e Korabit edhe këtë sezon të ri. Skuadra do jetë pushim deri në datën 9 korrik, sepse më 10 korrik ne kemi menduar që të rinisim përgatitjet për sezonin e ri”.
SEZONI I RI – “Skuadra jonë i ka të nevojshme përforcimet për sezonin e ri, sepse kemi 3-4 lojtarë që nuk na kanë bindur në sezonin e kaluar. Për t’i zëvendësuar këta, ne kemi menduar një strategji ndryshe, pasi po kërkojmë elementë të rinj dibranë, për t’i dhënë Korabit më shumë bazë nga akademia”.
AGRON KAJA