Mes Partizanit dhe Besës, Përparim Daiu mesazh “demave”: Kujdes nga Kukësi!

0

Të premten e kësaj jave nisin ndeshjet e fundit të aktit të dytë (faza e dytë) në Kategorinë Superiore të sezonit 2018-2019. Të gjitha do të fillojnë 30 minuta më parë nga kalendari, dhe  çiftet duken sa të vështirë aq edhe interesantë. Të tillë i përshkruan Përparim Daiu për SportEkspres.com, i cili Partizanin e mendon fitues në Gjirokastër dhe Kukësin me Kastriotin, ndërsa ndeshjet e tjera si të paparashikueshme.

Përparim Daiu është një nga mbrojtësit më energjikë e luftarakë në futbollin shqiptar pas vitit 1990. Në karrierën e tij në periudhën 1990-2004, ai ka luajtur me disa skuadra: Besa, Teuta, Luftëtari, Partizani e Luftëtari, njëherësh edhe me Kombëtaren. Në sezonin 2006-2007 i hyri rrugës së trajningut pikërisht me Besën, për të vazhduar më pas edhe me Kamzën, Shkumbinin, Tomorin e Laçin, deri në sezonin 2012-2013.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Keni vite që jeni larguar nga skena sportive, ku ka “humbur” Përparim Daiu?
-Në normalitet të plotë, në Kavajë. Por, duke qenë se futbolli ka një ndjesi të veçantë tek të gjithë ne që kemi luajtur në këtë lojë magjike, na është bërë si buka e përditshme bashkëjetesa me të, natyrisht në këndvështrime që na i lejon koha, mosha dhe detyrimet e tjera.

Në këtë fundviti, si e shikoni ngarkesën në futbollin shqiptar, kryesisht në Superiore dhe në Kategorinë e Parë?
-Është një ngarkesë normale, pasi skuadrat janë të përgatitura në të gjithë treguesit që ta përballojnë sezonin. Ndërkohë që sa po japin në fushë dhe ku renditen, besoj se kjo i përket një analize, të cilën në këtë fundviti mendoj se çdo skuadër duhet ta bëjë konkrete e pa justifikime.

Jeni i interesuar më shumë për Besën në Kategorinë e Parë, apo për Partizanin që komandon kreun e Superiores?
-Të dy ekipet kanë pjesë në zemrën time dhe nuk mund t’i ndaj. Por po e filloj nga më i madhi, Partizani, që këtë sezon duket se është në rrugën e duhur drejt titullit kampion. Drejtuesit e trajneri Gega e kanë ndërtuar skuadrën të gërshetuar me elementë të përvojës dhe me të rinj.

Matematikisht Partizani është “Kampion Dimri” në Superiore, çfarë duhet të bëjë më shumë në dy fazat e tjera për ta mbajtur këtë pozicion në renditje?
-Është gjysma e kampionatit dhe diferenca me ndjekësit është e ngushtë në renditje, gjë që ende për Partizanin nuk të jep idenë e kampionit absolut. Për ta mbajtur këtë kryesim, mendoj se duhet të ndërhyjë në merkato me lojtarë cilësorë nga mbrojtja e deri në vijën e sulmit.

Cilat skuadra i mendoni rivale të Partizanit deri në fundin e Kampionatit?
-Rivalët për titull tashmë janë shfaqur dhe unë më shumë mendoj se Kukësi do ta “ngacmojë” kreun e renditjes. Edhe Teuta besoj se do ta zbukurojë rivalitetin, ndërsa nuk përjashtoj Skënderbeun, që në gjysmën e dytë të sezonit e mendoj më ndryshe se këto dy fazat e para.

Po Besa, mendoni se do të ngjitet në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm?
-Besa ka skuadër me elementë të rinj ku spikasin portieri dhe qendërsulmuesi, të mbështetur edhe nga përvoja e Mihanit me ndonjë tjetër futbollist. Por duhet që në gjysmën tjetër të fuqizohet më shumë në mbrojtje e mesfushë, nëse i qëndron objektivit për ngjitje në Superiore.

Java e 18-të e Superiores mbyll fazën e dytë, e mendoni fitues Partizanin në Gjirokastër ndaj Luftëtarit?
-Luftëtari është bërë si “mace e zezë” për ekipet e mëdha, por Partizani nuk duhet të gabojë si në sezonin e kaluar. I duhen tri pikët dhe ky nuk është një synim i pamundur, duke patur parasysh edhe situatën me luhatje të Luftëtarit, si dhe problematikat që po kalon në këto momente.

Mendoni se do të kemi ndonjë rezultat surprizë në ndeshjet e javës së 18-të?
-Çdo gjë mund të ndodhë, sepse unë i lexoj teknikisht të gjitha ndeshjet. Vetëm për Kukësin e mendoj fitoren me Kastriotin, ndërsa ndeshjet e tjera janë të vështira në përcaktim. Tek sfidat  Tirana Flamurtari dhe Teuta-Laçi mendoj se mund të kemi rezultat jashtë parashikimeve.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.