Merkato e Partizanit është fokusuar në repartin e sulmit. Transferimet e lojtarëve si Solomon dhe Braun kanë bërë që te “demat” të krijohet një ngjeshje e madhe dhe logjikisht dikush duhet të largohet.
Një ndër lojtarët e përfolur më së shumti për një ndarje me kryeqytetasit është Lukas Kardozo. 25-vjeçari ka qenë i pafat gjatë qëndrimit të tij me kryeqytetasit. Një dëmtim i rëndë në gju gjatë vitit të kaluar bëri që braziliani të qëndronte për më shumë se 8 muaj larg fushave të blerta.
Një largim nga Shqipëria preferohet nga sulmuesi, por fjala e fundit i takon klubit kryeqytetas. Braziliani ka një ofertë konkrete, gjithsesi largimi nga “demat” s’do të jetë aq i thjeshtë. Partizani nuk pranon ta lëshojë futbollistin pa u kompensuar nga ana financiare.
Kardozo iu bashkua të kuqve në janar të vitit 2018 nga maqedonasit e Pelister. Për kartonin e 25-vjeçarit u pagua një shumë te përafërsisht 30 mijë euro, shumë kjo që Partizani kërkon ta marrë mbrapsht në rast largimi të futbollistit.