Tirana pësoi humbjen e dytë nëmiqësore, pas asaj kundër Skënderbeut. Trajneri i Tiranës, Ardian Mema u shpreh shumë i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës së tij në takimin e sotëm kundër Laçit. Për gazetarët e pranishëm në stadium, Mema foli pas këtij testi, ku u ndal te përballja, merkato, rikthimi i Muçës, aktivizimi i Hoxhallarit si mesfushor dhe sulmuesi Majkëll Ngo.
HUMBJA E DYTË – “Faktikisht kemi bërë shumë stërvitje dhe lojtarët ishin pak të ngarkuar. Kjo i shërben më shumë fazës përgatitore, ose harmonizimit të veprimeve. Kemi ndryshime në pozicione, që kemi bërë. Gjithsesi jam i pakënaqur. Kundër Korçës ishte diçka tjetër, ekipi luajti, mbajti topin gjatë gjithë kohës, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë bëmë ndryshime dhe sot ishte e njëjta situatë, pasi bëmë ndryshime me djemtë e rinj, pasi po shohim mundësi nga më të ndryshmet se si mund të vendosemi në ditët në vazhdim.”
MERKATO – “Për reparte dhe emra konkretë nuk mund të flas dot, sepse unë po bëj stërvitje me këtë grup lojtarësh. Por është e vërtetë që po shohim për lojtarë. Ka mundësi që këto ditë të kemi dhe lojtarë të rinj brenda ekipit.”
MBROJTJA – “Aktivizova Gent Muçën, i cili ka një vit e gjysmë që nuk luan. Turtulli u dëmtua dje dhe ka një sforcim të vogël në muskulaturë. Provova Gentin që është pjesë e ekipit dhe normalisht këto ndeshje shërbejnë për të provuar lojtarët.”
NDESHJA – “Kemi probleme në të gjithë repartet, por më tepër po merrem me ngarkesën fizike. Jemi stërvitur paradite dhe pasdite, kështu që lojtarët nuk ishin të freskët sot. Sot u zhgënjeva me pjesën e presionit. Lojtarët tanë shkonin në vonesë në presion ndaj kundërshtarit. Ishim gjithë kohën të vonshëm në këtë aspekt. Laçi ishte shumë më i freskët se ne, me atë që u pa në ndeshje. Kjo më jep shkas të shoh dhe gjendjen e lojtarëve, pasi mund të jenë të lodhur në maksimum. Mund të kemi rikuperime këto ditë dhe të shohim ndeshjen e ardhshme.”
NGO – “Më ka pëlqyer gjithë këto ndeshje, por, të them të drejtën, sot ishte faktor si në ndeshjet e fundit në kampionat, kur ka marrë topa në thellësi, ka qenë para portës, ka krijuar raste dhe ka dhënë asiste. Sot ishte një Ngo tjetër. Nervozizmi? Ngo është nga ata lojtarë që mendoj se kanë mentalitet fituesi dhe nuk e pranojnë humbjen. Kështu kam qenë dhe unë, por Ngo dhe të gjithë lojtarët duhet të kuptojnë se në futboll nuk fitohet me dëshirë. Duhet punuar shumë, djersitur dhe luftuar shumë për të fituar. Nuk është se atij i mungon kjo gjë, por gjithë këto ditë ka patur një ngarkesë të madhe fizike, që nuk e ka lejuar të shprehet si duhet. Unë mendoj se Ngo ka karakter të fortë sportiv dhe nuk e pranon humbjen, por ai është një lojtar i rëndësishëm për ekipin. Dhe ai duhet të jetë me nerva më të qeta, pasi sot ishte vetëm një miqësore.”
MUÇA – “Ai ka nevojë për kohën e nevojshme, ashtu siç i duhet çdo lojtari që vjen nga një traumë, dëmtim apo diçka tjetër. Koha është e nevojshme që ai të jetë i gatshëm në dyluftime, mbajtje topi dhe gjëra të kësaj natyre.”
PJESA E DYTË E SEZONIT – “Vazhdimësia mbetet për t’u parë, por tani është faza e tretë që fillon, që është shumë e rëndësishme për ne. Mendoj se do të bëjmë maksimumin për të arritur rezultatet e nevojshme. Vijmë pas një ndeshje të humbur dhe kemi ato problemet tona. Të them të drejtën, ekipi po i ofrohet ndeshjes kundër Skënderbeut, ku kemi humbur shumë raste si në ndeshje të tjera të kampionatit. Do ta shikoj me shumë kujdes pjesën e mbetur të fazës përgatitore për të parë se ku duhet të ndërhyjmë, sepse ndoshta po i vë “fajin” pjesës së lodhjes. Ndoshta mund t’i kem lodhur më tepër se duhet, por kjo analizë do të jetë pjesë e stafit.”
PËRFORCIMET – “Nuk ka ndryshuar asgjë në raport me presidentin dhe merkaton. Kemi parë shumë futbollistë, por nuk më kanë ngjitur, siç thotë populli. Duhen futbollistë, të cilët duhet të bëjnë diferencën me këta që kemi. Nuk kemi hequr dorë akoma, pasi merkato nuk është mbyllur, por të shohim në ditët në vijim. Goxhaj? Ai ka ardhur dje në ekip dhe na duhet dhe pak kohë për ta parë, nëse do të jetë pjesë e Tiranës.”
HOXHALLARI – “Këto janë ndeshje që të lënë të manovrosh dhe të bësh zhvendosje. Një lojtar duhet ta shohësh dhe në pozicione të tjera, pasi mund të jetë më efikas në shërbim të ekipit. Flas për Caken dhe Hoxhallarin, jo për rolin natyral të tyre, por për të mirën e ekipit. Këtë pjesë do e analizojmë mirë me stafin, nëse ia vlen realisht që Hoxhallari të luajë në mesfushë. Megjithatë, e rëndësishme është që Hoxhallari i bën të dy pozicionet, por kam provuar dhe Ismailgecin, një lojtar i ri me shumë perspektivë, i cili shumë shpejt mund të bëhet pjesë e lojës.”