Trajneri i Tiranës, Ardian Mema u shpreh shumë i lumtur për fitoren e të tijve përballë Kukësit. Sipas teknikut bardheblu, skuadra e tij e meritonte këtë triumf dhe ai është shumë i kënaqur me paraqitjen e të gjithë lojtarëve të tij. Një fitore shumë e rëndësishme kjo për Tiranën, për ecurinë e bardhebluve dhe këtë gjë e pranoi dhe Mema. Trajneri kryeqytetas foli pas kësaj ndeshje për “Supersport”, ku u shpreh:
NDESHJA – “Trajneri mendon të këqijat, para të mirave. Patëm probleme në pjesën e dytë Ne duam ekuilibër dhe të fitojmë. Vuajta pjesën e dytë, gjithsesi ekipi fitoi. Është rikthyer entuziazmi. Rezultatet na gëzojnë”.
SITUATA TE TIRANA – “Nuk jam tip që kënaqem kollaj, por gjërat kanë lëvizur pozitivisht. Më ka kënaqur Imami, ka qenë vendimtar në mbrojtje. Fitorja kthen entuziazmin, por na kthen me këmbë në tokë. Do analizojmë gjatë javës, pasi kemi bërë edhe sot gabime”.
PËRGATITJA E NDESHJES – “Kukësi e nis me 3-4-3. Në Vlorë luajtën ndryshe ata, ndryshe nga sa e kishim parashikuar. Prandaj e vendosa Dajën, që të mbante Rrocën. Patëm ekuilibër në mesfushë, bënë presion në kohën e duhur. E kapëm mesin e fushës, kur ata nisën të luanin nga mbrojtja në sulm”.
NDER PARTIZANIT – “Ndoshta në ditët në vazhdim mund t’i bëjmë nder edhe Kukësit, pasi luajmë edhe ne me Partizanin”.
KTHESA TE TIRANA – “Është e vështirë të ta them. Mendoj se janë harmonizuar veprimet mes reparteve, ose në çifte. Ekipi kërkon gjithë kohën të fitojë. Ka një lloj urie për të fituar ndeshjet. Nuk them dot më tepër. Duhet të bëjmë detyrat tona dhe të punojmë. Ekipi duhet të ketë sërish këtë lloj entuziazmi”,- u shpreh Mema.