Timue Bakajoko vijon të mbetet një çështje te Milani, edhe pse një ditë më parë francezi pati një takim me trajnerin Gatuzo, si dhe me Leonardon, ku sqaruan të gjithë mosmarrëveshjet e ditëve të fundit.
Blerja e mesfushorit nga Çelsi duket një kapitull i mbyllur, pasi drejtuesit kuqezinj sipas gjasave e kanë vendsour që nuk do ta aktivizojnë të drejtën e blerjes. Nga ky fakt, po përfiton Interi, me Bepe Marotën, i cili ka bërë gati planin.
Marota kërkon të marrë Bakajokon përsëri në Milano, por këtë herë në kampin e Interit. Formula do të jetë pak a shumë e njëjta që përdori Milanin, huazim për 5-6 milionë euro dhe e drejta e blerjes për 32 milionë euro.
Pikëpyetja e vetme është Çelsi dhe Mauricio Sarri. Në rast se ky i fundit do të vijojë të jetë në krye të bluve, atëherë largimi i Bakajokos është thuajse i sigurt. Gjithsesi, një largim i mundshëm i Sarrit, mund të sillte ndryshime. Gjithçka mbetet për t’u parë në merkato, që pritet të ketë shumë zhvillime…