Italia pret sot Finlandën në Udine për të startuar siç duhet rrugën drejt “Euro 2020”. Emri dhe kualiteti modest i kundërshtarit do t’i japë mundësi trajnerit të axurrëve Roberto Mançini për të vijuar fazën eksperimentuese të vitit të kaluar.
Sipas burimeve të medieve italiane, Mançini do ta vendosë skuadrën e tij me një formacion 4 – 3 – 3, ku nuk mungojnë surprizat. Në portë është i përhershmi Donaruma, ndërsa në qendër të mbrojtjes dyshja e Juventusit, Kielini – Bonuçi. Ndryshimet fillojnë në krahët e mbrojtjes, ku i është besuar në të djathë lojtarit të Valencias Kristiano Piçini, ndërsa në të majtë luan Kristiano Biragi i Fiorentinës.
Treshja e mesfushës përbëhet nga tra lojtarë shtatshkurtër, por atë që u mungon në gjatësi e plotësojnë me kreativitet. Barrela, Zhorzhinjo dhe Verrati janë një “trinom” që do ta kishte zili çdo kombëtare.
Surpriza më e madhe e sulmit është Muase Kean. Sulmuesi 19-vjeçari i Juventusit do ta fillojë nga minuta e parë përkrah Çiro Imobiles dhe Federiko Bernardeskit.