Kombëtarja italiane do të luajë ndeshjen e parë zyrtare me Roberto Mançinin si trajner. “Axurrët” do të presin në Bolonjë, përfaqësuesen polake. Tekniku 53-vjeçar u shpreh se i ka të qarta idetë e tij për formacioni e kombëtares.
NOSTALGJIA E BOLONJËS – “Është një emocion i madh. Isha vetëm 16-vjeç kur debutova me Bolonjën dhe s’mund të përmbaja veten. Nesër do të kem emocione të ngjashme, pasi do debutoj si trajner i Italisë në një ndeshje zyrtare në po të njëjtin stadium”.
FORMA E SKUADRËS – “Kampionatet sapo kanë filluar dhe disa lojtarë kanë marrë pak minuta. Rrjedhimisht një pjesë e madhe janë larg formës optimale, por e rëndësishme për mua është mentaliteti që ata do të tregojnë në fushë, të tjerat mund të rregullohen me lehtësi”.
LIGA E KOMBEVE – “Mendoj se është më mirë që të luftosh për tri pikë se sa të luash miqësore. Mendoj se mund të na shërbejë shumë mirë, pasi më duhet t’i jap minuta lojtarëve të rinj në ndeshje kuptimplota. Jam realist ka skuadra më të forta se ne, por objektivi jonë mbetet fitimi i grupit”.
FILOZOFIA E LOJËS – “Duhet të luajmë gjithmonë në sulm, sepse vetëm në atë mënyrë fitohet. Ndaj Suedisë u eliminuam pasi nuk arritëm të shënonim, tani duhet që raste që krijojmë të mos t’i shpërdorojmë”.