“Sakrificat u shpërblyen”, kështu shprehet Artur Magani, sulmuesi peqinas që fitoi kampionatin dhe Digitalb Kupën e Kosovës. Mund të kishte fituar titullin edhe në Superiore, pasi Partizani, klub me të cilin sulmuesi u stërvit për disa ditë, ia doli të triumfonte pas 26 vitesh.
Magani, në një intervistë të dhënë për RTSH Sport flet për shumë çështje, mes të tjerash edhe për atë lëvizje të vjetshme. “Bëra mirë te Liria (14 gola të shënuar) dhe pata oferta. Firmosa me Feronikelin dhe më pas Partizani më tundoi me një ofertë. Doja të isha pjesë e tyre, çdo lojtar e do diçka tillë. Kontrata më pengonte dhe për korrektësi vazhdova atje, te Feronikeli”, shprehet Magani.
Më tej sulmuesi thekson se në Kosovë janë më seriozë kur vjen puna te kontratat: “Kam bërë mirë në Kosovë, normalisht edhe piqemi me moshën. Kam punuar me trajnerë të mirë. Më ka ndihmuar ajo periudhë atje. Këtu te ne terrenet janë të mira, kampionati është më i fortë, por atje merr gjithçka sipas kontratës. Kjo është ajo që është më e mirë se në Shqipëri”.
E ARDHMJA – “Dëshira ime është të qëndroj në Shqipëri, pasi jam pranë familjes. Do pranoj ofertën më të mirë, unë jam i hapur. Një rikthim i mundshëm te Teuta? Do më pëlqente, kam respekt për atë skuadër. Më kanë dhënë mundësinë të jem pjesë e tyre, duke kaluar në atë klub nga Shkumbini. Arsyeja tjetër është trajneri Shkëmbi, më të cilin kam punuar. Me atë isha në formën time më të mirë te Liria, kam shumë respekt për të”, shton Magani.
KALIMI NË KOSOVË DHE RAPORTI ME ‘GASHIN’ – “Unë shkova i pari atje, tek Liria, pastaj erdhën babai dhe vëllai. Jemi ndjerë mirë, u përshtatë. Nuk është se ka ndonjë arsye të veçantë që zgjodhëm Kosovën”, u shpreh sulmuesi peqinas.
“Raporti me babanë? Normal babai më këshillon, pranohet diçka e tillë.. Flas para dhe pas ndeshjeve për çdo gjë. Është një nga trajnerët më të mirë shqiptarë dhe nëse kam arritur diçka, ka ndodhur falë tij. Puna me Gashin? Në fillim gjërat shkuan mirë, më pas kur unë nuk po shënoja, ndryshoi situata. Gjashtë muaj pata shumë stres, numëroja ditët. Ehe djali i Refik Halilit është lojtar shumë i mirë. Po të ikë nga Tirana është e vështirë të gjejë ekip të mirë, pasi e njohin të gjithë si djali i presidentit. Kjo ia bën të vështirë, më ka ndodhur edhe mua. Më njohin si djali i Gashit”, përfundoi Magani.