Luhet në arrati, nis java e 11-të e Superiores

Kategoria Superiore do të luajë takimet e javës së 11-të sot dhe nesër, kjo për faktin se në mesjavë do të ketë sërish ndeshje. Sfida mjaft interesante rezervon kjo xhiro, teksa dy takime do të luhen sot në orën 14:00. Interesant fakti se të dyja këto përballje do të luhen në fusha neutrale, kjo për pasojë se stadiumi i Kukësit nuk është licencuar për këtë edicion, ndërsa në anën tjetër Teuta po ndryshon tapetin e “Niko Dovana”.

Kukësi ndryshon sërish shtëpi, teksa pasi ka luajtur si pritëse në Elbasan dhe Shkodër, tani do të luajë në Kamzë. Në periferinë e kryeqytetit ka mjaft kuksianë, çka me shumë mundësi verilindorët do të kenë mbështetje si asnjëherë në këtë edicion. Hyrja do të jetë pa bileta.

Është bërë “mollë sherri” gjyqtari i këtij takimi, teksa Ziri është akuzuar nga ana e Flamurtarit, kjo për faktin se është nipi i drejtorit të Kukësit, Ramadan Ndreu. Nota proteste nga ana e kuqezinjve, por mbetet para ndeshjes të shihet nëse do të ketë ndryshim apo do të jetë “bilbili” nga Fushë-Kruja që do të vërë drejtësi në këtë takim.

Sa i përket skuadrave, ekipet kanë mjaft mungesa. Kukësi nuk ka të disponueshëm Musollin e Rrumbullakun që dihet tashmë, por dhe Dzaria do e ndjekë këtë përballje nga tribuna. Edhe Maliqi ka pasur probleme dhe prezenca e tij në fushë është në pikëpyetje, ndërsa Çyrbja është dërguar te skuadra e dytë, me arsyetimin nga ana e klubit se ka qenë performanca e dobët, që i ka çuar në këtë vendim. Kapiteni Shameti gjithashtu ka një problem muskulor dhe mbetet për t’u parë nëse do të jetë gati apo jo për këtë ndeshje.

Flamurtari në krahun tjetër sheh rikthimin e Allës, pas plot 9 javësh, por i Mungon Musta me kartonë dhe Batha i dënuar nga Komisioni i Disiplinës. Kale nuk llogaritet në këtë mes, pasi edhe braziliani është një tjetër “problem” mes dy klubeve.

Kategoria Superiore – Java 11, Kamzë
E premte, më 2 nëntor 2018, ora 14:00

Kukësi – Flamurtari

Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Zguro, Ethemi, Shkodra, Limaj, Tigruxha, Uilliam, Rexhinaldo. Trajneri: Armando Cungu.
Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Pollozhani, Alla, Kotobelli, Useini, Mustafa, Useinin, Hyseni, Torasa, Alvesh, Bushiç. Trajner: Ilir Daja

Gjyqtarë: Blerim Ziri, Endrit Veseli, Erind Burgu, Orlando Kuka.
Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Astrit Dervishi.

Sfidë po aq interesante është ajo mes Teutës dhe Tiranës. Ashtu si Kukësi me Flamurtarin, edhe kjo ndeshje nuk do të luhet në Durrës, por pak kilometra më tutje, saktësisht në Shijak, në stadiumin “Tofik Jashari”. Skuadrat vijnë në situata të ndryshme, pasi në kampin bardheblu të Tiranës mendohet vetëm ngjitja sa më lart në klasifikim dhe lënia pas e problemeve pa fund, ndërsa në anën tjetër është Teuta që synon të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive.

Skuadrat i druhen terrenit të stadiumit në Shijak, por kushtet atmosferike japin garanci, edhe pse vështirë se do të ndjekim ndonjë ndeshje mbresëlënëse, si ajo e fazës së parë. Kujtojmë që në fazën e parë këto dy ekipe ndan pikët në “Selman Stërmasi”, duke barazuar pa gola 0-0.

Mema ka si synim që të marrë fitoren e parë në krye të 24-herë kampionëve. Kujtojmë që një javë më parë Tirana barazoi në Kamzë, por sërish mbetet në ujëra të turbullta, pasi me 9 pikë, pa dhe Luftëtarin që ta arrinte në klasifikim.

Në anën tjetër është Teuta, e cila ka marrë 7 pikë në 3 ndeshjet e fundi. Skuadra e Shkëmbit po bën mirë dhe me 15 pikë pozicionohet në vendin e  gjashtë, vetëm 4 më pak se Kukësi i vendit të tretë. “Djemtë e detit” duan që të vijojnë me serinë e rezultateve pozitive, diçka që tekniku Shkëmbi nuk nguron që ta përsërisë në konferencat e tij për shtyp.

Tirana vjen me mungesa të rëndësishme në këtë sfidë, ku Oduamadi dihet që e ka mbyllur vitin. Po ashtu dhe Blazhevski do të jetë i gatshëm me shumë gjasa pas kësja ndeshjeje, pasi ka nisur ushtrimet me topin. Po ashtu për këtë takim nuk do të jenë të gatshëm dhe Kërçiku, si dhe Tutulli.

Në krahun tjetër durrsakët nuk pritet që të bëjnë ndryshime në formacion, ku vetëm në mesfushë mund të rregullohet diçka nga sfida e fundit me Flamurtarin.

Kategoria Superiore – Java 11, Shijak
E premte, më 2 nëntor 2018, ora 14:00

Teuta – Tirana

Teuta: Hidi, Gjeorgjevski, Shkalla, Bicaj, Ndreca, Osmani, Kallaku, Progni, Sidibe, Traore, Latif. Trajner: Bledi Shkëmbi.
Tirana: Lika, Doka, Atinga, Hoxhallari, Imami, Karabeci, Daja, Kobina, Hasani, Greca, Sentamu. Trajner: Ardian Mema.
Delegat: Marjus Sulejmani; Vëzhgues: Arianit Lulaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *