Xhovani Lo Selso po bën një sezon të shkëlqyer me fanellën e Real Betisit dhe ka qenë një nga lojtarët kryesorë të bardhejeshilëve. 22-vjeçari është dhe një nga lojtarët më të kërkuar, me Barcelonën dhe Realin e Madridit që janë gati të paguajnë për shërbimet e argjentinasit.
Por kush është Lo Selso? Mesfushori ka dalë nga radhët e skuadrës argjentinase, Rosario. Pas paraqitjeve të shkëlqyera me këtë skuadër, PSG-ja vendosi të paguajë 10 milionë euro për të në sezonin 2016-17.
Vetëm një vit më vonë, talenti u transferua te Real Betis, në formulën e huazimit me opsion blerjeje. Huazimi i kushtoi 2 milionë euro skuadrës spanjolle, ndërsa në fund të sezonit mund ta sigurojnë kartonin e tij, për 30 milionë.
Interesimi nga Reali e Barcelona, që janë gati të paguajnë deri në 60 milionë euro, mund të bëjë që Betis të sigurojë shërbimet e tij, për ta shitur më pas te një nga gjigantët spanjollë për dyfishin e shumës që do t’i paguajnë PSG-së.