Ditët e fundit u duk se u rihap kanali i merkatos Liverpul-Sauthempton, pasi këto vitet e fundit duket se “The Reds” janë abonuar dhe marrin çdo zbulim të “Shenjtorëve”. Historia po përsëritej me mbrojtësin holandez Virxhil van Dijk, një ndër mbrojtësit më të spikatur në Premier Ligë, i kërkuar nga shumë klube.
Në Angli doli lajmi se Liverpuli kishte gjetur marrëveshjen me mbrojtësin dhe priste vetëm marrëveshjen me Sauthemptonin,por këtu ka lindur problemi.
Sauthemptoni, kur ka mësuar se Jyrgen Klop është takuar me Van Dijk, e ka denoncuar sjelljen e Liverpulit te Premier Liga. Mbrojtësi ka një kontratë deri në vitin 2021, ndaj nuk lejohet që të bisedojë me klube të tjerë pa dijeninë e klubit të vet. Nëse Premier Liga niste hetim, Liverpuli rrezikonte bllokim të merkatos për dy dritare, duke humbur mundësinë për të blerë lojtarë.
Një rrezik shumë i madh për The Reds, që, për këtë arsye, kanë vendosur të braktisin pistën që e çon te mbrojtësi holandez, çka bën që të anulohet një blerje që dukej e sigurt.