Kallum Hodson-Odoi debutoi me kombëtaren e Anglisë mbrëmjen e djeshme, ku arriti edhe të luajë rol kryesor në golin e pestë për “Tre Luanët”. I futur në fushë në minutën e 70’ në vend të Sterling, Odoi ishte protagonist, pasi gjuajtja e tij u devijua nga Kalas, i cili mori dhe autorësinë e autogolit. Një paraqitje shumë e mirë nga 18-vjeçari.
Me debutimin e tij, Hodson-Odoi u fut në histori, pasi u bë lojtari më i ri që luan me Anglinë në një ndeshje zyrtare (18 vjeç e 153 ditë). Pas ndeshjes së tij shumë të mirë, për mikrofonat e “ITV” foli sulmuesi legjendar anglez, Ian Rajt, i cili pati dhe një replikë të ashpër për trajnerin e Çelsit, Maurisio Sarri:
“Kur Hodson-Odoi bën paraqitje të tilla në nivel ndërkombëtar dhe në një moshë kaq të re, mendon logjikisht se ai është një lider te klubi i tij. Por Sarri nuk e aktivizon dhe unë kam një pyetje: ‘Pse nuk po luan ai me Çelsin?’ Një lojtar si ai e meriton të luajë nga minuta e parë, në mënyrë që të rritet, pasi është një lojtar i dalë nga akademia e skuadrës dhe e di rëndësinë e klubit. Mendoj që duhet të huazohet diku, ose të largohet, pasi nuk duhet ta humbasë kurrsesi këtë formë të mirë që po kalon duke qëndruar në stolin e rezervave”, përfundoi Rajt.