Françesko Toti njoftoi ditën e sotme largimin nga klubi i Romës pas plot 30 vitesh. Legjenda e verdhekuqve nuk i kurseu kritikat për drejtuesit amerikan të klubit, duke akuzuar ata për mospërfillje ndaj figurave që kanë shkruar histori për Romën si ai dhe De Rosi.
Nuk ka vonuar as reagimi i klubit me një komunikatë zyrtare, ku është njoftuar se Totit ishte dhënë mundësia të pasonte Monçin në rolin e drejtorit teknik, por kjo ofertë u refuzua nga 42-vjeçari.
“Klubi është tej mase i zhgënjyer për faktin se Françesko Toti ka vendosur të largohet nga klubi, duke refuzuar ofertën e të qenit drejtor teknik i Romës. Ne ia ofruam atij këtë rol pas ikjes së Monçit, gjatë të gjithë kësaj kohe ishim në pritje të përgjigjes së tij”.
“Ne besonim se ky rol i ofronte Françeskos një ndër pozicionet më të larta në klub dhe natyrisht kërkonte dedikim dhe përkushtim, diçka që pritet prej secilit drejtues të klubit tonë”.
“Ishim të gatshëm të tregonim durim me Françeskon në tranzicionin e tij nga një lojtar i madh te një drejtues e menaxher i madh. Ne besonim se ai mund të rritej në këtë rol dhe do ta mbështesnim në çdo hap derisa të përshtatej”.
“Megjithëse e kuptojmë se sa e vështirë është për të që të marrë vendimin e largimit nga Roma pas 30 vitesh, ne besojmë se mendimet e tij për vendimmarrjet e ndryshme në klubin tonë janë shumë larg realitetit”.
“Përsa i përket deklaratës për një rikthim të tij nëse klub vijnë drejtues të tjerë, ne duhet t’iu sigurojmë se grupi investitor që ka në pronësi klubin nuk në plan të vendosë në shitje Romën, tani ose në të ardhmen e afërt”.