Matijs De Ligt ka pranuar prej kohësh të vazhdojë karrierën te Juventusi. E vetmja “nyje” që duhet zgjidhur është marrëveshja me Ajaksin. Holandezët po tregohen kokëfortë me atë që kërkojnë. Nëse Juve e do talentin në ekip për sezonin e ardhshëm, duhet të paguajë 75-80 milionë euro.
Shifër kjo, që cilësohet e madhe dhe jo lehtësisht e përballueshme edhe nga një klub si Juventusi. Mediet italiane raportojnë se Paratiçi e Nedved po negociojnë për një mënyrë tjetër pagese ndaj Ajaksit. Ata janë gati të heqin dorë nga një prej talenteve më të mëdha të akademisë, pikërisht Moise Ken.
Oferta e radhës nga ana e Juventusit në drejtim të skuadrës nga Eredivise është 50 milionë euro, plus kartonin e 19-vjeçarit. Një ofertë që arrin në 75 milionë, nëse konvertojmë kartonin e të riut. Ajaks do e mendojë mirë këtë ofertë, pasi do të merrte një lojtar, që pritet t’i rritet vlera dhe brenda një kohe të shkurtër do vlejë sa De Ligt.