Lacio ndodhet në një pikë kyçe të sezonit. Objektivi i ekipit bardhekaltër është sigurimi i një vendi në katërshen e parë në kampionat dhe avancimi më tej në Ligën e Europës. Ekipi i Simone Inzagit është prekur nga shumë dëmtime, konkretisht plot 10 lojtarë me probleme muskulore. Të ndodhur përpara një situate të tillë, drejtuesit e klubit kanë vendosur të kërkojnë ndihmë te “magjistarja e muskujve”, Marijana Kovaçeviç!
Serbja është e famshme për trajtimin dhe kurimin e dëmtimeve muskulore të futbollistëve, duke përdorur placentën e kalit. Kjo metodë shërimi mund të aplikohet qoftë duke ofruar një masazh në zonën e dëmtuar me placentën e transformuar në një lloj xheli që përmban shumë proteina, ose në formë injeksioni në zonën muskulore, që favorizon ushqyerjen e muskulaturës dhe kockës, duke lënë organikë më të fortë se ato që prodhon trupi i njeriut.
Marijana ka kryer mrekulli më parë, duke shëruar në kohë rekord emra si: Nejmar, Runi, Torres, Maskerano, Van Persi, Stankoviç, Sërna, Akuilani, ndërsa ndihmë tek ajo kanë kërkuar dhe Hamdi Salihi, Liridon Latifi dhe Ilir Berisha. Lacialët Luis Alberto, Milinkoviç-Saviç, Berisha, Durmishi dhe Bastosh kanë udhëtuar drejt Beogradit për të nisur seancat me mjekën e famshme. Lacio luan nesër ndeshjen e kthimit kundër Seviljes në Ligën e Europës.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Itali u mbyll me fitoren 0-1 të ekipit andaluzian, ndërsa ekipi i Inzagit do të bëjë maksimumin për të kthyer rezultatin. Një objektiv i vështirë për momentin e ekipit dhe duke marrë parasysh se përballë është ekipi ekspert i këtij kompeticioni.