Futbolli është gjithmonë magjik dhe surprizues. Ekipit të Leçes i mjaftonte një fitore në shtëpi përballë Specias për t’u ngjitur në Serinë A dhe ashtu ka ndodhur. Djemtë e Fabio Liveranit fituan 2-1 dhe u rikthyen në elitë pas 7 vitesh mungesë.
E bukura është që ekipi nga jugu i Italisë u ngjit vjet nga Seria C në B, ndërsa sezonin tjetër do të garojë mes më të mirëve. Jakopo Petriçone dhe Andrea La Mantia ishin heronjtë e sotëm, por të gjithë janë heronj në fakt me rezultatet e arritura këtë sezon.
Vendi i dytë me 66 pikë, një më pak se Breshia kryesuese, ndërsa Palermo e mbylli sezonin me 63 pikë dhe tashmë do i duhet të zhvillojë ndeshjet play-off për t’u rikthyer në Serinë A.
Breshia e Emanuele Ndoj e ka mbyllur kampionatin në Serie B me humbje, teksa është mposhtur 2-3 nga Benevento në shtëpi. Mesfushori i kombëtares shqiptare është kursyer në këtë përballje dhe tanimë mendon për sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit italian.
Nëse për Ndojin Serie A është garantuar, ndryshe situata për Ledian Memushajn dhe mbrojtësin Marash Kumbulla. Peskara mposhti sot 2-0 Salernitanën dhe mesfushori vlonjat luajti për 90 minuta. Në krahun tjetër Memolla qëndroi në stol gjithë ndeshjen dhe skuadra e tij do luajë ndeshje shtesë për të siguruar qëndrimin në Serie B.
Në të njëjtën situatë edhe Venecia e Xhakomo Vrionit, që sot fitoi në shtesë me përmbysje ndaj Karpit të vendit të fundit. Një dorë sot ia ka dhënë edhe Verona e mbrojtësit Kumbulla, që mposhti Foxhian dhe do tentojë të ngjitet në Serie A përmes fazës play-off.