Kjo fundjavë nuk ka qenë aspak e mirë për sulmuesit e kombëtares. Jo vetëm që asnjë nuk ka shënuar, por edhe minuta nuk kanë pasur. I vetmi që ka zbritur në fushë ka qenë Bekim Balaj. por edhe për shkodranin minutat ishin të pakta.
Ai u aktivizua për Ahmat Grozni në minutën e 82-të kundër Dinamos së Moskës. Ndeshja u mbyll në barazim pa gola dhe sulmuesi i kombëtares nuk e ndihmoi dot skuadrën e tij të fitonte në shtëpi. Sindrit Guri, tjetër sulmues në orbitën kuqezi, nuk luajti asnjë minutë të shtunën me Ostenden.
Albasete fitoi me përmbysje dje ndaj Ekstremadura dhe nuk pati nevojë për kontributin e Rei Manajt. Sulmuesi lushnjar e ndoqi të gjithë takimin nga stoli. Edhe Eros Grezda nuk mori asnjë minutë në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës, që Rejnxhërs e humbi me Aberdenin 1-0.
Edhe për Xhakomo Vrionin nuk kishte minuta të premten. Sulmuesi, i cili debutoi me Izraelin, nuk mori në asnjë minutë në ndeshjen që Venecia barazoi në transfetë me Palermon. Uzuni është nga ata që po luan rregullisht me Lokomotivën. Edhe këtë javë ishte titullar në fitoren 4-0 që mori skuadra kroate. Por as beratasi nuk shënoi këtë herë.