Mohamed Salah dhe Liverpuli nuk janë në një marrëdhënie optimale. Këtë e tha disa ditë më parë gazeta “As” në Spanjë, por jo shumë i besuan. Kjo media thonte se Salah ka pasur një debat shumë të ashpër me Jurgen Klop. Gjendja ka qenë aq e agravuar sa lojtari ka shkuar deri në hartimin e një kërkese zyrtare drejt klubit për largimin e tij në fund të sezonit.
Konfirmime të tjera vijnë orët e fundit nga Franca. Zërat për zënkën mes Salah dhe trajnerit të tij kanë shkuar edhe në Paris, çka shton edhe më shumë dyshimet që kjo të ketë ndodhur vërtetë. Avokati i Salah është munduar të mohojë gjithçka, por pa rezultat, pasi gjërat sa vijnë e vihen në dukje. Ku ka zë nuk është pa gjë, thotë populli.
Sipas mediave franceze, Reali i Madridit do të futet në garë për të siguruar egjiptianin, pasi siç dihet ai është një nga të pëlqyerit e Zidanit. Kjo situatë padyshim ndodh në momentin më të keq të mundshëm, ku Liverpuli po lufton në dy fronte. Barcelona është kundërshtari për t’u mundur në Champions dhe në Premier Ligë është në një “kacafytje” të vazhdueshme me Sitin e Guardiolës për trofeun që i mungon prej 23 vitesh.