Klop nuk kursen elozhet për Sarrin: Çfarë trajneri! E admiroj prej kohësh stilin e tij

Liverpuli dhe Çelsi do të përballen dy herë brenda katër ditëve. Nesër në mbrëmje, “The Reds” presin Çelsin e Sarrit për ndeshjen e “Carabao Cup”, ndërsa të shtunën zhvillohet ndeshja e kampionatit në “Stamford Bridge”. Të dy ekipet janë në formë të mirë dhe Liverpuli kryeson Premier Ligën me dy pikë më shumë se Çelsi dhe Mançester Siti.

Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, ka folur për kundërshtarin e radhës dhe nuk i kursen superlativat për homologun italian, Mauricio Sarri, i cili i dha fund aventurës me Napolin, për t’u ulur në stolin e “Bluve të Londrës”. Çelsi po luan një futboll ndryshe dhe më argëtues dhe kjo është merita e Sarrit, i cili gëzon respektin maksimal nga ana e trajnerit të Liverpulit.

ÇELSI – “Nuk e di pse njerëzit flasin gjithmonë për ne, ose Mançester Sitin si skuadrat kandidate për titull dhe harrojnë Çelsin. Ata janë një ekip me përvojë, të cilët kanë fituar titullin, madje 80% prej tyre, e kanë fituar dy herë dhe dinë se si fitohet Premier Liga. Kanë një grup shumë të mirë dhe janë një skuadër të madhe.”

SARRI – “Ai ka bërë ndryshimin më të madh të sistemit të lojës që kam parë dhe kjo ka ndodhur në një kohë të shkurtër, wow. Çelsi ka ndryshuar komplet stilin, çfarë trajneri! E admiroj që nga koha kur drejtonte Napolin, ku luante një futboll spektakolar dhe po e bën dhe këtu një gjë të tillë, pavarësisht se në fazën përgatitore nuk i kishte të gjithë lojtarët në dispozicion. Sarri gëzon respektin tim maksimal dhe më duhet ta pranoj se deri më tani ka bërë një punë shumë të mirë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *