“Kamara dëshiron vetëm Vllazninë, ka refuzuar dy oferta”

Besëlidhja e mbylli sezonin në vendin e dytë dhe tashmë ekipi është shpërndarë. Drejtuesit duhet të mendojnë që të gjejnë trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm, pasi Vladimir Gjoni është larguar. Në vazhdim mund të ketë edhe lojtarë të rëndësishëm që mund ta lënë Besëlidhjen.

Disa prej tyre kanë oferta dhe njëri është Oumar Tourad Kamara, lojtari nga Guinea që ka spikatur me lezhjanët.  Drejtori sportiv i klubit Besëlidhja, Kristi Memi, e bën fakt interesimin e Vllaznisë për mesfushorin. Ai thekson se edhe dy klube të tjera e kërkojnë lojtarin e tyre, por ai do vetëm shkodranët.

“Kamara dëshiron skuadrën e Vllaznisë dhe ka anashkaluar dy ofertat e tjera nga skuadra të Superiores. Nga Vllaznia është bërë kërkesë paraprake, që ne si klub nuk e kemi kundërshtuar. Do të ulemi gjatë këtij muaji, do të flasim dhe më pas do të vendosim”, u shpreh Memi për Sportekspres.com 

Më tej ai flet edhe në lidhje me trajnerin e ri të Besëlidhjes: “Gjatë kësaj periudhe skuadra është pushim e deri tani nuk kemi patur ndonjë lëvizje të veçantë, duke përjashtuar largimin e trajnerit Vladimir Gjoni. Për teknikun e ri do vendosim brenda datës 15 qershor, pasi së bashku me të do formatojmë skuadrën për sezonin e ri. Deri tani ne si klub nuk kemi ndonjë emër konkret”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *