Kallaku: Xhixha më kërkoi falje, nuk më ndërhyri qëllimisht

Sherif Kallaku ia hodhi paq pas asaj ndërhyrje të Redon Xhixhës në ndeshjen me Laçin. Mesfushori e sulmuesi kanë qenë shokë skuadre sezonin e shkuar me bardhezinjtë dhe futbollisti i Teutës është i bindur që kundërshtari nuk i ndërhyri qëllimisht.

“Të them të drejtën nuk e kam menduar në asnjë moment se ishte e qëllimshme. Ishte një ndërhyrje që i përket futbollit. Kam folur me të, e kam pasur shumë shokë kur isha te Laçi. Është mbyllur çdo gjë. Ai më kërkoi falje. Nuk besoj të ketë qenë e qëllimshme”, është shprehur Kallaku në “Supersport.

Teuta është një ekip që pëson pak. Nga nëntë ndeshjet e luajtura deri më tani, durrsakët gjashtë prej tyre i kanë mbyllur pa pësuar gol. Për Kallakun kjo është pozitive, ndërkohë që thekson se në Vlorë shkojnë për të marrë pikët maksimale.

“Realisht është pozitive që nuk pëson. Goli vjen edhe gradualisht. Na pret një ndeshje e vështirë me Flamurtarin dhe shpresojmë ta mbajmë këtë ritëm. E njoh mirë kundërshtarin, kanë kualitet. Gjithsesi ne shkojmë atje për të fituar”, shton mesfushori.

Në fund dy fjalë edhe për objektivat e klubit durrsak dhe për ndërthurjen e brezave. “Djemtë e rinj i ndihmon eksperienca e Osmanit, Hidit, Bicajt, Prognit dhe djemve të tjerë. Objektivi i klubit janë kupat e Europës dhe t’i marrim një e nga një ndeshjet deri në fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *