Aron Ramsej është një ndër emrat kryesorë, që po përflitet ditët e fundit, pasi klubet më të mëdha evropiane po bëjnë të pamundurën për të siguruar shërbimet e tij, pasi kontrata që uellsiani ka me Arsenalin skadon qershorin e vitit të ardhshëm. PSG, Milan dhe Juventus, kanë qenë klubet më të përfolura, por duket se çështja e ka marrë më në fund një zgjidhje.
Juventusi duket se është shumë pranë mesfushorit, të cilit siç raportohet në mediat më të mëdha në Itali, i është ofruar një kontratë e parefuzueshme nga ana e bardhezinjve. Plot 10 milionë euro në sezon për të, një ofertë që duket se e ka bindur 28-vjeçarin. Kjo metodë u përdor dhe për Emre Xhan, pasi kujtojmë, “zonja e vjetër” e transferoi si një lojtar të lirë turko-gjermanin verën e këtij viti.
Ramsej po luan sezonin e tij të dhjetë me “topçinjtë” e Londrës, ku në vitin 2008 u ble nga Kardif Siti për shumën e 7 milionë eurove. Aktualisht Ramsej përfiton te Arsenali 110 mijë sterlina në javë, ndërsa me kontratën që thuhet se i ka ofruar Juventusi do të përfitojë gati dy herë më shumë.