Mançester Junajtid dhe Barcelona do të përplasin brirët ditën e nesërme në “Old Trafford”, sfidë e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Katalanasit shihen dukshëm favoritë për këtë takim, por “Djajtë” kanë treguar se dinë të bëjnë surpriza.
Dëmtimet kanë qenë një problem madhor për Ole Gunar Solskjaer dhe trajnerit norvegjez shpeshherë i është dashur t’iu besojë të rinjve. Edhe në sfidën kundër Barcelonës, Solskjaer duhet të bëjë llogaritë pa katër lojtarë.
Nemanja Matiç, Ander Herrera, Erik Beili dhe Antonio Valencia me shumë gjasa nuk do të luajnë kundër Barcelonës. Përveç këtyre katër lojtarëve shumë të rëndësishëm, në dyshim është dhe Markus Rashford, që është stërvitur i diferencuar të hënën.