Rexhinaldo është larguar nga Kukësi, edhe pse kishte rënë dakord për kontratën e re. Sulmuesi nuk pranoi kushtet e klubit që të firmoste dhe më pas të merrte pagat që i detyroheshin. I zhgënjyer e ka mbyllur aventurën me verilindorët dhe te Kukësi do të duhet të gjejnë një sulmues cilësor për ta zëvendësuar lojtarin nga Mozambiku.
Sulmuesi nuk është largimi i vetëm, pasi edhe Uilliam Kordeiro nuk do të rinovojë me Kukësin. Burime të SportEkspres bëjnë me dije se anësori brazilian, përveç kërkesave të larta financiare, nuk pëlqehet edhe për shkak të karakterit të tij dhe luhatjeve të shumta në paraqitjet e bëra në fushën e lojës.
Uilliam u afrua në verë për të mbuluar krahun e djathtë të mbrojtjes, por trajneri Armando Cungu e preferoi në të majtë të sulmit dhe bëri mirë atyre. Gjatë kampionatit ai arriti të shënonte pesë gola, duke qenë ndër shënuesit më të mirë të skuadrës. Tifozët e duan si lojtar, por në klub janë të bindur që të mos rinovojnë me të.