Jo vetëm Ibra, 5 emra të tjerë për merkaton e Milanit

0

Milani po e pret me padurim merkaton e janarit. Kuqezinjtë janë prekur nga shumë dëmtime rresht, kështu që Leonardo dhe Maldini po punojnë për të gjetur emrat e duhur. Ekipi ka nevojë për përforcime, ndërsa Ibrahimoviç mbetet objektivi kryesor. Një rikthim i suedezit në Milanelo do të rriste entuziazmin e ambientit kuqezi, por kryesorja janë golat e Ibrës.

Ekipi i “Djallit” ka shumë probleme në mbrojtje, ndërsa Romanjoli është i fundit që ka përfunduar në infermieri. Milani ka hedhur sytë nga Anglia, konkretisht tek ekipi i Çelsit. Marrëdhëniet mes palëve janë shumë të mira dhe një gjë e tillë u vë re me huazimin e Bakajokos.

Geri Kahil dhe Andreas Kristensen pëlqehen nga kuqezinjtë. Të dy nuk po luajnë shumë me Sarrin, i cili preferon dyshen Rudiger-David Luiz. I pari është 33 vjeç, ndërsa danezi 22 vjeç. Pikërisht Kristensen është preferenca kryesore e italianëve. Ai ishte titullar sezonin e kaluar me Konten dhe bëhet fjalë për një mbrojtës kualitativ.

Gjithçka do të qartësohet në vijim sa i përket mbrojtësit danez, ndërkohë që Leonardo po punon dhe për arritjen e një marrëveshje me San Paolon. Rodrigo Çaio është emri i preferuar dhe Leonardo do të bëjë maksimumin për të siguruar shërbimet e mbrojtësit 25-vjeçar.

Në mesfushë pëlqehet Stefano Sensi. Vështirë që Sasuolo të heqë dorë nga 23-vjeçari në janar, por Milani po insiston dhe palët mund të arrijnë akordin. Një tjetër emër që përflitet për mesfushën e Gatuzos është dhe Lenadro Paredes i Zenitit. Argjentinasi e njeh mirë Serinë A, pasi ka luajtur me Empolin dhe Romën, por Sensi mbetet objektivi kryesor i Leonardos.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.