Masimo Morati është një njeri mjaft i njohur në botën e futbollit italian, teksa kujtojmë është ish-president i Interit qëndroi si numri një i zikaltërve për më shumë se 20 vite. Pak kohë më parë italiani u propozua si kandidaturë për presidencën e federatës italiane të futbollit. 73-vjeçari ka folur për mediat italiane në lidhje me disa çështje, që nga mbështetja e Andrea Anjelit ndaj tij, deri tek ecuria e Serisë A.
MBËSHTETJA E ANJELIT – “Ishte diçka e bukur dhe shumë e guximshme nga ana e Andreas. Deklarata e tij ishte diçka që mund të çonte dhe në një mosmarrëveshje me tifozët e Juventus, por besoj një pjesë e zemërimit të Anjelit lidhet dhe me “Calciopolin”. Dhimbja mund të kalojë, por historia mbetet. Marrëdhënia me Anjelin ka qenë gjithmonë civile dhe miqësore. Unë e njoh atë që në kohën që ai ishte djalosh i ri. Nuk kishte më kuptim të vazhdonim me polemika”.
INTERI – “Pas ndeshjeve të para, sigurisht kishte frikë se kampionati i Interit nuk mund të arrinte te pritshmëritë e drejtuesve apo tifozëve. Më pas erdhi ndeshja në Champions, që i dha përsëri besim të gjithëve dhe tashmë çdo gjë është në rrugën e duhur. Interi është një ekip me karakter dhe lojtarët po bëjnë mirë. Me Juventusin kaq të fortë është e vështirë të synojë kampionatin, por ata duhet të besojnë dhe të japin më të mirën.
JUVENTUSI KRAHASUR ME INTERIN E TRIPLETËS – “Unë shoh vendosmëri dhe një ekip kompakt që mund të bëjë gjëra të mëdha. Tripleta është e vështirë të arrihet, por duhet ta provojnë dhe besoj do të arrijnë të bëjnë gjëra të mira këtë sezon. Juventusi është shumë i fortë”.
MAROTA TEK INTER – “Kam respekt dhe e vlerësoj shumë Marotën. Ai është një person i ekuilibruar, i cili di se si ta kryejë mirë punën e tij. Do ta vlerësoja shumë një kalim të tijin tek Interi.”
RONALDO NË SERINË A – “Sigurisht që është një lëvizje që mund të rrisë kureshtjen për kampionatit italian, madje unë shoh ndeshjet e Juventusit nga kurioziteti për të parë Ronaldon. Mund të jetë një magnet për të tërhequr kampionë të tjerë në Serinë A.”
IKARDI – “Ikardi është një kapiten, i cili ka mësuar shumë dhe është përmirësuar shumë. Ai i jep besim lojtarëve, është mbrojtës ndaj shokëve të tij dhe shënon shumë gola. Po bën mirë.”
MANÇINI – “E mori kombëtaren në një moment të vështirë për të ecur përpara, pasi është edhe një njeri i guximshëm. Është një trajner me cilësi të mëdha dhe duhet durim. Mançini është një trajner shumë serioz dhe rezultatet do të vijnë, jam i sigurt.”
MURINJO – “Gjithmonë ai ka cilësitë e tij dhe ka një karakter shumë të fortë. Zhose vazhdon të ruajë cilësitë e tij. E pashë ndeshjen kundër Njukasëllit, ishte një test i karakterit ajo përmbysje, që tani mund të ringrejë Mançester Junajtid”, ka përfunduar Masimo Morati.